Më 11 mars do të zbulohet pllaka përkujtimore e Mursel Delisë, djalit të legjendarit Ahmet Delia. Iniciativa që vjen nga Prekazi gjeti mbështetje në Komunën e Çairit. Përgatitjet për vendosjen e pllakës përkujtimore dhe rregullimin e varrit të Mursel Delisë ka kohë që kanë nisur, ndërsa të mërkurën një delegacion i Komunës së Çairit ishte në Prekaz ku u takua me Bacë Rifat Jasharin, vëllain e Adem Jasharit, me nipat e Ahmet Delisë.
Po ashtu veç kullës së Jasharajve dhe të Delisë, delegacioni i Komunës së Çairit i kryesuar nga kryetari Izet Mexhiti vizituan edhe kullën e Tahir Metës. Figura e njohur e Murselit, djalit të Ahmet Delisë do të nderohet pasi të rregullohet varri i tij që gjendet në xhaminë e Allaxhës afër Bit Pazarit në Shkupit.
Gjatë vizitës në Prekaz, Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti me familjarë të Ahmet Delisë si dhe me familjen e heroit legjendar Adem Jashari diskutuan për mënyrën se si do të veprohet rreth ndërtimit të shënimit të këtij monumenti historik. Mursel Ahmet Delia njihet si një prej figurave më të njohura të rezistencës serbo-sllave. Ai përveç se kishte ndihmuar babanë e tij, Ahmet Delinë, ka qenë bashkëluftëtar i Hasan Prishtinës dhe grupeve tjera shqiptare që luftonin kundër pushtuesve serbë. Ai u helmua në Shkup gjatë vitit 1931, ku edhe gjendet aktualisht varri i tij.
Kryetari i Çairit, Mexhiti tha se nuk do të lejojë të harrohet një figurë kaq e ndritshme për historinë e popullit shqiptar. Pas sjelljes së Skënderbeut në hyrje të Çarshisë së Shkupit, kjo është figura e dytë historike që nderohet në këtë komunë.
PREKAZI, 100 VJET KRENARI
Prekazi, është fshati që e njohu e gjithë bota për nga heroizmi e sakrifica. Vendlindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Rruga për në truallin e zanafillës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Shkupi të përcjellë me ankth. E imagjinon se a ka ndryshuar diçka që nga viti 1998, kur 53 anëtarë të familjes Jashari ranë dëshmorë në pragun e shtëpisë së tyre duke luftuar me forcat e mëdha serbe.
Me të arritur në Prekaz, ekspedita nga Shkupi ku ishin tre kryetarët e komunave, Izet Mexhiti nga Çairi, Blerim Bexheti nga Saraji dhe Sadulla Duraku nga Likova etj., u përkulën para varrit të heroit kombëtar Adem Jashari. Homazhe iu bënë edhe të vrarëve të tjerë në mesin e tyre edhe Hamzë Jasharit e babait të tyre Shaban Jasharit.
Në hyrje të Kullës së Jasharajve të pret Murati, kurse në rezidencën e pritjes me plis në kokë, me mustaqet e përdredhura të uron mirëseardhje Bacë Rifat Jashari, vëllai i Ademit e Hamzës. “Mirë se erdhët o burra. Rrugës keni kaluar mirë? Faleminderit që keni ardhur. Ndjehuni të lirë sikur në familjet e juaja. Ne jemi të gjithë të njëjtë, por ja që na ka ndarë fati e ishalla arrijmë atë që e do kombi”, thotë Rifati, me shumë maturi.
Pasi sqarohet për qëllimin e vizitës, ku Izet Mexhiti jep përkrahje për vendosjen e një pllake përkujtimore në Shkup të Murselit, djalit të Ahmet Delisë, i vjen radha vizita Kullave tjera që janë histori në vete për Prekazin e popullin shqiptar. Nëpërmjet një rruge gjarpërore, ndalemi te Kulla e Tahir Mehës. Heroi që në vitin 1981 u vra duke mbrojtur heorikisht Kullën e tij nga sulmet e pareshtura të ushtrisë e policisë serbe. “Me orë të tëra ka luftuar Tahiri me ushtrinë serbe. Fillimisht është vra Emini babai i tij, e pastaj Tahiri është vra në pritën e tretë. Të dytë kanë luftuar duke kënduar”, tha Ali Ahmeti nga Prekazi.
Rruga drejt Prekazit të epërm arrin deri te Kulla e Ahmet Delisë, heroi i cili me sëpatë në vitin 1912 kishte prerë ushtarët serbë që ishin nisur drejt Prekazit për të bërë kërdi. Tani krenarë të presin nipat e tij. Ka ardhur koha e drekës dhe në familjet e Ahmet Delisë, s’mundesh me kaluar pa ngrënë drekë. Në odë të burrave fillon muhabeti. “Nuk jam shumë i kënaqur me atë çfarë po bëjnë udhëheqësit tonë. Ende kemi familje të dëshmorëve e invalidëve të cilët nuk kanë kulm mbi kokë e s’kanë çfarë të hanë për darkë”, thotë Rifat Jashari. Ai i fajëson politikanët edhe për shpenzimet e mëdha që po i bëjnë për disa punë të kota. “Le t’i zvogëlojnë pak bisedat telefonike, drekat e darkat dhe mos të japin para për shumë truproje, sigurisht do të mjaftojnë për t’i ndihmuar këta familje”, tha më i moshuari i familjes Jashari.
Flasin edhe mysafirët nga Maqedonia, por dëshira është më e madhe të dëgjohen fjalët e këtyre familjarëve që bënë historinë e Kosovës. Në odë të burrave vazhdon të ruhet tradita, të nderohet më i moshuari dhe të dëgjohen me kujdes këshillat që japin ata. “Odën e prish ai që s’di e flet dhe ai që di e nuk flet”, e thotë një fjalë popullore bacë Jashari.
Oda vazhdon të luaj rolin e kuvendeve ku janë marrë vendime të rëndësishme. Të rinjtë inspirohen, këshillohen dhe mësojnë prej fjalëve të matura të më të vjetërve. Ata nëpërmjet ndodhive dhe duke përdorur ironinë gjithmonë i kanë drejtuar të rinjtë nga duhet të ecin. Përveç se u morr vendimi që të përkujtohet nëpërmjet një pllake përkujtimore djali i Ahmet Delisë, Murseli të pranishmit e kuptuan se si duhet ta duash atdheun, flamurin e si ta ruash shtetin. Pikërisht nga këto fjalime të mbushet shpirti plot frymëzim për veprimtari kombëtare, e Prekazi mbetet sërish Kulla e pamposhtur e popullit shqiptar.
Në sofër servohet flija shqiptare e mjalti
Në odën e madhe të burrave dreka hahet në sofër. Për nderë të mysafirëve të largët, nikoqiri familja e Ahmet Delisë të shërben me fli, specialitet shqiptar. Bashkë me të servohet edhe mjalti që të rikujton një drekë tipike shqiptare. Kështu Prekazi e ruan traditën e kulturën shqiptare, pavarësisht modernizimit e globalizimit.
Jasharajt në mars 1998 vranë qindra serbë
“Serbia nga beteja e Adem Jasharit në mars të vitit 1998 kishte njoftuar zyrtarisht se kishte pësuar 96 ushtarë të vrarë dhe 370 të tjerë të plagosur. Vija ajrore prej ku kanë sulmuar serbët është 250 metra, kurse pozicioni më i madh i armikut ka qenë te fabrika e municionit që është afër familjes Jasharaj”, tha Ali Ahmeti nga Prekazi