Forumi botëror ekonomik në Davos të Zvicrës ka shpallur listën e liderëve të rinj ekonomik për vitin 2010, në të cilin përfshihet edhe emri i ministrit të ekonomisë Fatmir Besimi. Besimi është zgjedhur me nominim të drejtorit të Bankës Botërore për Kosovën, ndërsa forumin e liderëve të rinj, e drejton mbretëresha jordaneze Rania. Ministri i ekonomisë Fatmir Besimi tha për ALSAT, se kjo mirënjohje vjen si rezultat i punës së palodhshme për zhvillimin ekonomik të shoqërisë në gjithë rajonin e Ballkanit. Ministri i Ekonomisë ndodhet në mesin e 179 personave, nga gjithsej 5000 kandidatë të dominuar nga gjithë bota.
“Ky çmim si titull, gjithsesi është një privilegj sepse je në mesin e një rrjeti ndërkombëtar ku marrin pjesë udhëheqës botërorë dhe të institucioneve ndërkombëtare financiare”, u shpreh Fatmir Besimi, ministër i Ekonomisë. Besimi shprehet se si sfidë në axhendën e tij në forumin ekonomik, do të ketë euro-integrimin e vendeve të rajonit.
"Normalisht kontributi im do të jetë rreth disa çështjeve që kanë të rëndësishme për rajonin. Këtu mund t’i përfshijmë sfidat e rajonit për integrim në NATO dhe BE”, tha Besimi.
179 kandidatët vijnë nga të gjitha rajonet e botës. Shumica e tyre, 64 vijnë nga Azia, 56 nga Amerika, dhe 46 nga Evropa.