Dedikuar:
Kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi,
Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi,
Presidentit të Kosovës, z. Fatmir Sejdiu
Kosova sot feston dy vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Akti solemn dhe historik i 17 shkurtit jo vetëm që shënoi sendërtimin e idealeve të shumë gjeneratave, njëkohësisht shënoi edhe fillimin e realitetit të ri të shtetit më të ri të kontinentit më të vjetër.
Populli i Kosovës, institucionet e saja dëshmuan se projekti Kosova shtet sovran dhe i pavarur përvec që ishte domosdoshmëri historike në këto dy vite po dëshmon se është edhe suksesi më i madh mbarëkombëtar.
Ne shqiptaret e Maqedonisë i gëzohemi këtij përvjetori, urojmë institucionet e Kosovës në këtë datë sepse dy shtetet tona, Kosova dhe Maqedonia po dëshmojnë se si ndërtohen marrëdhëniet e mira fqinjësore, se si promovohen vlerat e reja të bashkëpunimit dhe respektimit të ndërsjellë.
Njohja e Kosoves nga ana e Maqedonisë, shënimi i vijës së kufirit dhe vënia e marrëdhënieve diplomatike mes Shkupit dhe Prishtinës jo vetëm që respekton realitetet e reja, jo vetëm që reflekton standarde të reja, në të njejtën kohë vlerëson ndjenjat dhe përkushtimin e të gjithë neve për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës.
Duke ju uruar në këtë dy vjetor, duke ju përgëzuar për të gjitha sukseset, më lejoni që në emër të anëtarëve dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emrin tim personal t`ju shpreh dëshirat më të mira dhe inkurajimin tuaj dhe të gjithë neve në rrugën e përbashkët drejt integrimeve evro atlantike të shteteve tona dhe mbarë rajonit.
Me respekt,
Ali Ahmeti,
Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim