Në Teatrin Shqiptar në Shkup sonte u mbajt akademi përkushtimore me rastin e fillimit të luftës në vitin 2001 në Tanushë. Kjo akademi u organizua nga Shoqata e Veteranëve të Luftës dhe nga Komuna e Çairit.
Në këtë akademi u përkujtua dëshmori i parë i rënë në luftën e vitit 2001, Muzafer Xhaferi, si dhe bashkëluftëtarët e tij, Qemal Shaqiri dhe Shpend Mazrekaj.
Këtë akademi përkushtimore e hapi kryetari i SHVL të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Fazli Veliu i cili lexoi referatin e fillimit të kryengritjes së vitit 2001.
"Ne jemi dhe do të jemi ata të cilët në çdo kohë do t'i dalim Zot atdheut, por që do t'i dalim në format që e do udhëheqja jonë së bashku me gjithë faktorin tonë kombëtar në Shqipëri, Kosovë, ne do të shkojmë përpara drejt integrimeve tona, sepse integrimet tona janë më të përshtatshme, ne pushtuesit i sfidojmë por sfidimi ynë do të ishte mirë që të jetë në forma të tjera të ngritemi në nivelin për ta bërë atdheun ashtu siç e dojmë, të ngritemi në nivelin e atyre të cilët ranë për atdhe në nivelin e Mujdin Hadrit, Ismet Jasharit si dhe shumë të tjerë, të cilët luftuan në Kosovë", tha mes tjerash Veliu.
Në këtë akademi përkushtimore fjalën e mori edhe udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti.
"Jo rastësisht thonë se atdheu lind nga dëshmorët, është më se e vërtetë ngase shteti më i ri në kontinentin më të vjetër - Evropë lindi nga dëshmorët, me këtë rast uroj dyvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Nëntë vite më parë jemi dëshmitarë me daljen e UÇK -së në skenë. UÇK dhe Marrëveshja e Ohrit ndryshoi statusin e Kushtetutës së Maqedonisë nga shtet i një etnie në shtet multietnik, ky është qëllimi dhe suksesi kryesor i UÇK-së. Gjaku i martirëve është në zyrtarizimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, në hapjen e universiteteve që nga Kumanova deri në Strugë, gjetëm një administratë me 3%, sot është me 18 %. Janë bërë shumë punë të mrrekullueshme, por ka akoma që duhet të bëhet për të ardhmen e popullit, e ardhmja e shqiptarëve është në Evropën e Bashkuar në Evropën pa kufi, ne realizojmë endrrën e shumë dëshmorëve", tha Ahmeti.
Me këtë rast, kryetari i Këshillit organizativ të akademisë, Beqir Hasani familjarëve të dëshmorëve u ndau portrete me dëshmorët e luftës.
Këtë akademi përkujtimore me prezencën e tyre e nderuan edhe komandant Rexhep Selimi, familjarët e Adem Jasharit, veprimtari i shquar i çëshjtes kombëtare nga Fushë Kruja, Ndue Dodaj , ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni Arben Çejku, e tjerë.