Dhjetë vjet që kur ish kryeministrat e Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë krijuan eko-parkun e Prespës si projekt të përbashkët, ministrat e Ekologjisë të tri vendeve sot u angazhuan që intensivisht të punojnë në mbrojtjen e pasurive natyrore, bio-diversitetit si dhe promovimin e rajonit të Prespës.
“Kjo është marrëveshja e parë ndërkombëtare e këtij lloji në Evropën jug–lindore dhe model i mirë për bashkëpunimin ndër-kufitar. Mund të them që banorët që jetojnë këtu përparojnë më shpejtë se vendet. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për rajonin”, tha Konstantina Birbali, ministre greke e Mjedisit.
“Rruga në të cilën ecim është me një drejtim. Shpresoj që aktivitetet tona do të ndryshojnë gjendjen momentale të parkut. Sot është ditë e madhe për të gjithë ne, sepse me këtë marrëveshje dëshira politike për mbrojtjen e rajonit do të bëhet realitet”, theksoi Fatmir Mediu – ministri shqiptar i Mjedisit.
“Për fat të keq Prespa sot është nën kërcënim serioz për shkak të tërheqjes së ujit, ndotja e me mbeturina dhe gjendja e ekosistemit. Qeveria e Maqedonisë është e bindur se bashkëpunimi rajonal në mjedis do të sjellë dobi”, uroi Nexhati Jakupi, ministër i Mjedisit të Maqedonisë.
Në marrëveshjen, nënshkrimi i së cilës u planifikua para dy muajsh në takimin trilateral të kryeministrave Papandreu-Gruevski-Berisha, thuhet se të tre vendet në vitet e ardhshme duhet t’i kushtojnë kujdes të posaçëm cilësisë, por edhe sasisë së ujit në liqenin e madh dhe të vogël të Prespës. Gjithashtu përmendet përmirësimi i infrastrukturës ekzistuese dhe ndërtimi i asaj të re si dhe promovimi i përshpejtuar turistik i Prespës në botë.
Më marrëveshje, një theks i veçantë i është vënë shmangies së ndërhyrjeve hidrologjike negative të së kaluarës kur sasi të mëdha të ujit të liqenit merreshin për ujitjen e sipërfaqeve të punuara. Edhe pse Prespa dikur ishte qendër e rëndësishme turistike me uljen e nivelit të ujit të liqenit në 14 vitet e fundit, për rreth 7 metra, situata nuk është e njëjta. Ekspertët thonë se nëse marrëveshja nuk zbatohet liqeni i Prespës rrezikon të shterohet kurse tërë rajoni të shkatërrohet.