Dje në selinë e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale ministri Xhelal Bajrami nënshkroi marrëveshjet për rekreacion klimatik dhe mjekim në banjë për vitin 2010.
Rreth 10.000 pensionistë do të mund ta shfrytëzojnë rekreacionin klimatik në banjë gjatë vitit 2010, si pjesë e projektit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) dhe pronarëve të banjave në vendin tonë.
“Grupi i parë prej rreth 500 pensionistë do të shkojnë nëpër banja që nga 6 shkurti i këtij viti, kurse pritet që në muajt e ardhshëm projekti të zhvillohet në kontinuitet dhe të arrihet numri prej 10.000 pensionistëve”, tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale Xhelal Bajrami pas aktit të nënshkrimit të marrëveshjeve me pronarët e banjave në vendin tonë.
Marrëveshjet që u nënshkruan përfshijnë shfrytëzimin falas të shërbimeve nga katër banjat e vendit, edhe atë: të Banjave të Dibrës – Capa, Katllanovës, Negorcit dhe Banjës Banjsko.
Me këtë marrëveshje është paraparë edhe mbikëqyrje medicinale të pensionistëve në momentin kur ata do të pranohen në banjë dhe gjatë qëndrimit të tyre. Po ashtu përfaqësuesit e MPPS-së do të mund që në çdo moment t’i vizitojnë banjat dhe të binden për cilësinë e trajtimit që do ta kenë pensionistët.
Përfaqësuesit e banjave janë të kënaqur nga ky hap sepse konsiderojnë se në këtë mënyrë do të mund ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre dhe të ofrojnë kushte më të mira për shërim në banjë.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë vendimin për sigurimin e mjeteve për dërgimin e 10.000 pensionistëve në banja e mori vitin e kaluar. Atëherë u përcaktuan edhe kriteret që duhet të plotësohen për shfrytëzimin e këtij shërbimi. Numri më i madh i pikëve, respektivisht deri më 60 pikë fitohen varësisht nga lartësia e pensionit, respektivisht më shumë pikë për pension më të vogël, deri 30 pikë varësisht nga kohëzgjatja e pensionit dhe pagesa e kontributeve, kurse nga 10 pikë për pensionistët që janë shfrytëzues të të drejtës për ndihmë dhe përkujdesje nga person tjetër.