Mirë se erdhët në Kongresin e dytë të Bashkimit Demokratik për Integrim. Le të jetë ky Kongres i dobishëm për partinë, kombin, demokracinë tonë dhe për gjithë shoqërinë. Në këtë çast dëshiroj t’i përkujtojë të gjithë ata që gjatë kësaj rruge e humbën jetën e tyre, të gjithë ata që për historinë e demokracisë së këtij vendi kanë dhënë shumë nga vetvetja dhe familjet e tyre.
Ky kongres mbahet në kohën e zhvillimeve me rendësi historike për Maqedoninë dhe rajonin. Po bëhen hapa serioze drejt integrimit, për të cilin partia e jonë ka dhënë kontribut te çmuar. Integrimin e kemi të shkruar në ballë që prej fillimit.
Ne këto shtatë vite si parti kemi qenë bashkë në çdo rrethane. Në një rast nga ky vend kam thënë: “kemi ndarë gjithçka me njëri tjetrin, kemi ndarë dhimbjet, gëzimet, sukseset, por një gjë nuk e ndamë kurrë. Nuk e kemi ndarë forcën dhe unitetin”. Pikërisht kjo forcë e unitetit na ka bërë që gjatë këtyre shtatë viteve të jemi më të fortë, më të mëdhenj dhe ta ndërtojmë bashkërisht familjen e madhe të quajtur Bashkimi Demokratik për Integrim.
Ne jemi e vetmja parti të cilës populli që nga themelimi i dha mandat dhe legjitimitet për t`i përfaqësuar shqiptarët. Politika jonë i reflektoi ndjenjat e popullit. Politika jonë u barazua me drejtësinë dhe lirinë. Dikush u mundua të na përçmoje dhe shkëpusë nga rruga jone. Na provokuan, na përgatitën skenare të ndyta. Nuk ramë në grackë të askujt.
Në mes dy Kongreseve kemi marrë pjesë në tre procese zgjedhore. Ashtu si në të gjitha zgjedhjet e organizuara nga viti 2002 kemi dalë fitues. Fitoret në zgjedhje i kemi kuptuar si besë e dhënë nga populli dhe siç e dini, për ne shqiptarët besa është e shenjtë. Prandaj, të nderuar delegatë dhe anëtarë të BDI-së, nuk guxojmë të nëpërkëmbim besimin që na jep populli. Njëherësh them se vullnetin politik të shqiptarëve duhet ta respektojnë dhe të tjerët. Historia e shkurtër pluraliste e Maqedonisë na mëson se në momente kur nuk respektohet vullneti politik i shqiptarëve, nuk ka stabilitet politik, institucionet nuk funksionojnë dhe kemi ngërç të proceseve euro-atlantike. Jo rastësisht në vitin 2006 paralajmëruam se: nëse nuk respektohet vullneti politik i shqiptarëve, vendi do të futet në krizë politike. Periudhës së vasalitetit i ka ardhur fundi. Me ndihmën e miqve ndërkombëtar, përkrahës të Maqedonisë, në vitin 2007 filloi dialogu i drejtpërdrejtë i përfaqësuesve legjitim të dy forcave më të mëdha që kishin legjitimitetin dhe verdiktin e qytetarëve.
Në vitin 2008, si pasojë e krizës politike, mosfunksionimit të Parlamentit, qeverisë dhe komunikimit shumë të dobët të pushtetit qendror me atë lokal, u shpallën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje qytetarët e Maqedonisë do t`i kujtojnë si zgjedhje më të rënda. Shqiptarët u cilësuan si grindavecë dhe si prishës të zgjedhjeve. Kjo nuk duhet të ngjasë kurrë më. Unë përsëri propozoj një pakt solemn për zgjedhje të lira. Unë dëshirojë edhe një herë t`i falënderoj publikisht të gjitha strukturat e BDI-së, qytetarët, si dhe komunitetin ndërkombëtarë që dhanë kontributin e tyre për ta tejkaluar situatën e rëndë në vitin 2008. Ne i qëndrojmë parimit se niveli i demokracisë së një shteti është i barabartë me aftësinë e tij për të organizuar zgjedhje te lira.
Pas ardhjes në pushtet ne organizuam zgjedhjet lokale dhe presidenciale. Këto zgjedhje për dallim nga ato të vitit 2008 u vlerësuan si të lira dhe demokratike nga organizatat ndërkombëtare. Mirëpo, ngelet për të bërë edhe shumë punë që të arrijmë standardet evropiane. Veçanërisht duhet, një herë e përgjithmonë, të pastrohen listat votuese dhe të rishikohen njësitë zgjedhore, për të zhdukur dilemat e vlerësimeve.
Pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme, Bashkimi Demokratik për Integrim rimori mandatin për të përfaqësuar vullnetin e shumicë dërmuese të shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo njëkohësisht shënoi edhe ngritjen e standardit për bashkëqeverisje nga dy subjektet fituese të dy bashkësive etnike më të mëdha në vend.
Të nderuar delegatë;
Më lejoni që në vazhdim të ndalem pak më shumë në disa nga angazhimet tona konkrete.
Implementimi i Marrëveshjes paqësore të Ohrit është prioritet i yni. Ky është edhe prioritet i Qeverisë dhe ka vend të veçantë në programin qeveritar dhe të komunave. Ka shumë obligime që dalin nga ky dokument i garantuar ndërkombëtarisht, nënshkrues dhe garantues të të cilit janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO.
Marrëveshja e Ohrit është dokument i vetëm në rajon i cili edhe zbatohet, prandaj atë nuk mund ta mbulojë pluhuri dhe të zverdhet nëpër sirtarët e institucioneve shtetërore. Meqë kjo Marrëveshje është dokument që rregullon marrëdhëniet ndëretnike në të gjitha segmentet, BDI mbetet në përcaktimin e paluhatshëm për jetësimin e saj si parakusht për zhvillimin e harmonishëm të vendit.
Më duhet të them se edhe pse deri tani janë miratuar ligje që burojnë nga kjo Marrëveshje dhe disa të tjerë kanë pësuar ndryshime, prapëseprapë ka prej tyre që në përmbajtje dhe formë nuk janë në harmoni me frymën e saj. Në disa lehet hapësirë për voluntarizëm dhe interpretim të lirë të nëpunësve dhe për keqpërdorim të besimit të qytetarëve. Tetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes, ende ekzistojnë disa „paqartësi” rreth asaj se çka në të vërtetë paraqet ajo. Për fat të keq, mendime të tilla hasen tek individë dhe struktura edhe nëpër partitë politike, por edhe ndër struktura shtetërore. Pikërisht kjo paraqet shkakun themelor për zvarritjen e implementimit të suksesshëm të saj.
Tashmë po bëhet nevojë jetike që faktorët politikë gjërat t’i pranojnë si realitet dhe sa më shumë të jetë e mundur, në një mënyrë më të shpejtë dhe më cilësore, të bindur në veprimet e drejta dhe të shëndosha, t’i jetësojnë në praktikë. Ky zaten është edhe thelbi i Marrëveshjes. Demokracia dhe ardhmëria nuk tolerojnë privilegje mbi baza të përkatësisë dominante kombëtare, sepse kërkohet ndërtimi i shoqërisë së qytetarëve me të drejta dhe përgjegjësi të njëjta. Është e nevojshme një vetëdije shumë më e ngritur për njerëzoren dhe barazinë e të gjithëve si qenie njerëzore me të njëjtat aftësi, përgjegjësi dhe dhunti natyrore. Kjo duhet të jetë betim, udhërrëfyes dhe përcaktim i të gjithë aktorëve që janë përgjegjës për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë.
Pjesë e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit janë edhe statusi i ish- pjestarëve të UÇK-së që ranë ose janë invalidë si dhe të familjeve të tyre. Për zgjidhjen e kësaj çështjeje duhet punojmë pikërisht duke iu referuar dispozitës 3.3 të pjesës “Masa për ndërtimin e besimit”. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se në vend kishte luftë, dhe në të morën pjesë dy palë. Palët ndërluftuese duhet trajtuar në mënyrë të barabartë. UÇK-ja nuk ka qenë organizatë terroriste. Pjesëtarët e saj, veteranët e UÇK-së sot janë të organizuar në Shoqatën e Veteranëve te Luftës të regjistruar ligjërisht nga gjykatat vendore si dhe janë anëtarë të Organizatës së veteranëve evropianë dhe kanë aplikuar për t`u anëtarësuar edhe në organizatën botërore të veteranëve. Është kjo kategori e shoqërisë më meritorja për arritjet e deritanishme dhe demokratizimit të shoqërisë, prandaj do të apeloja që zgjidhja e statusit të tyre të shikohet edhe nga këndi i humanizmit dhe obligimit që kemi ndaj familjeve të tyre, sepse ne i kemi vënë vetes obligim të JETËSOJMË IDEALET.
Rregullimi i statusit të tyre do të kontribuojë edhe në forcimin e mëtejshëm të mirëbesimit në mes të dy komuniteteve.
Miratuam ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Konsiderojmë se ky është një hap përpara drejt avancimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Por, ky ligj nuk i plotëson të gjitha nevojat dhe nuk është në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Mbetet që në mandatin e ardhshëm të ngritët si çështje që kërkon zgjidhje, në përputhje me dispozitat e Amendamentit V dhe Marrëveshjes së Ohrit, ku thuhet “Cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% të popullatës, gjithashtu është gjuhë zyrtare, si dhe shkrimi i saj...”.
Është i pa tolerueshëm voluntarizmi i disa bartësve të funksioneve shtetërore kur është fjala jo vetëm për përdorimin e gjuhës shqipe, por edhe për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në përgjithësi.
Them që duhet të jemi edhe vetëkritik në këtë proces. Edhe në radhët tona kemi individë që shume pak bëjnë për të përdorur gjuhën shqipe në punën e komunave dhe organeve të tyre. Ka këshilltarë shqiptarë që në punën e këshillave komunale nuk e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t`u drejtuar në gjuhën amtare edhe pse këtë e garanton Kushtetuta.
Shtyllë kryesore e Marrëveshjes së Ohrit është procesi i decentralizimit. Decentralizimi i pushtetit, si kusht i domosdoshëm për krijim të një shoqërie demokratike, ku në qendër të vëmendjes vendoset qytetari, tashmë ka dhënë rezultate të dukshme. Por, ky trend duhet vazhduar me intensitet më të lartë në mënyrë që qytetari të ndjehet me të vërtetë sovran i demokracisë.
Nëpërmjet procesit të decentralizimit realizohen edhe të drejta etnike. Prandaj, pa hamendje, ky proces duhet të vazhdojë duke përfshirë këtu decentralizimin fiskal, menaxhimin me tokën ndërtimore, sigurimin e burimeve të qëndrueshme financiare.
Kemi bërë lëvizje pozitive edhe sa i përket çështjes tepër aktuale, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Nëse në vitin 2002 ne gjetëm administratë me shifra simbolike, sot kemi institucione me përfaqësimi të konsiderueshëm. Kjo arritje duhet përshëndetur, mirëpo duhet të jemi të vetëdijshëm se në këtë sferë ka edhe shumë punë për të bërë. Nuk është mirë që nëntë vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit të ekzistojnë institucione me përfaqësim simbolik. Ne në BDI përfaqësimin e drejtë dhe adekuat nuk e shohim si shifër të thjeshtë, por konform Marrëveshjes së Ohrit, këtë e shohim si mundësi që ne krijojmë politikën tonë në institucione dhe të kemi ndikimin tonë në proceset që ndodhin në shtet. Prandaj, përfaqësimi nuk duhet shikuar vetëm në nivelin e ulët, por edhe në vendet udhëheqëse. Ne jemi qytetarë të këtij shteti, jemi të përcaktuar që këtu të ndërtojmë vlerat tona. Kjo ka të bëjë edhe me besimin e qytetarëve ndaj institucioneve, por gjithashtu ka të bëj edhe me lojalitetin e shqiptarëve ndaj shtetit.
Si ta ndërtojmë lojalitetin kur nga dymbëdhjetë vendet udhëheqëse kryesore në shtet asnjëri prej tyre nuk është shqiptar: As Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, as Ministri i punëve të Jashtme, i Mbrojtjes, Punëve të Brendshme, Shefi i Shtatmadhorisë, udhëheqësi i sigurimit publik dhe shtetëror, Guvernatori i Bankës Popullore, Kryetari i këshillit gjyqësor, Kryeprokurori, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar, apo nga bashkësitë tjera jo maqedonase! Mbetet që me angazhimin tonë dhe të subjekteve tjera kjo të përmirësohet.
Viteve të kaluara nga arsye të ndryshme subjektive krijohej tension rreth aplikimit të ligjeve që buronin nga Marrëveshjen Paqësore të Ohrit. Kërkohej interpretim edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese etj. Andaj, për ligjet që miratohen me votim të dyfishtë të mos ngritët fare procedurë eventuale, duke pasur parasysh se miratohen mbi bazë të pëlqimit të të gjitha bashkësive etnike, ose sipas parimit të njëjtë të vendoset edhe gjatë procedurës në Gjykatën Kushtetuese.
Shikuar nga perspektiva e tanishme, por të preokupuar me sfidat e mundshme, theksojmë qartë nevojën për një qasje serioze dhe me kohë ndaj përgatitjeve për organizimin e regjistrimit e popullsisë, amvisërive dhe banesave në vitin 2011. Institucioni që është përgjegjës për këtë projekt – Enti Shtetëror i Statistikës është identifikuar si shembull i keq për moszabtim të duhur të përcaktimeve për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Kur them se ne JETËSOJMË IDEALET, kam parasysh punët të cilat janë realizuar në këtë periudhë katër vjeçare. Ne bëmë realitet ëndrrën shqiptare që të kemi Universitet shtetëror në gjuhën shqipe, legalizuam Universitetin e Tetovës. Është obligim i udhëheqësis së Universitetit që këtë tempull të diturisë ta zhvillojnë, të ndërtojnë vlera të mirëfillta dhe ta bëjnë institucion të pranueshëm kombëtarishtë dhe ndërkombëtarisht. Përkrahjen tonë do ta kenë gjithmonë. Ne u angazhuam që këtë Universitet ta ndjejnë edhe përtej Tetovës. Prandaj vendimi i parë që miratuam në vitin 2008 ishte hapja e fakultetit në Kumanovë.
Sivjet u hapën drejtime të Universitetit të Tetovës në Shkup, Kërçovë dhe Strugë. Vitin e ardhshëm e njëjta do të bëhet edhe në qytetin e Dibrës.
Reformimi i arsimit të lartë është ndër objektivat kryesore të Qeverisë dhe në veçanti të BDI-së. Sepse zhvillimi i një shoqërie, sidomos i shoqërive shumetnike, varet pikërisht nga shkalla e arsimimit. Me fjalë të tjera, kjo nënkupton, njerëz të kualifikuar e të shkolluar dhe ata nuk mund të krijohen pa universitete, pa institucione kërkimore, pa ngritje të infrastrukturave të informacionit. Mua më mbanë shpresa se ky universitet vërtetë do të shndërrohet në një vatër diturie. Dhe, që kjo të ndodhë, ne nuk na duhet fabrikë për prodhim diplomash, të dashur vëllezër e motra, na duhet punë. Punë dhe vetëm punë, sepse sikurse ka thënë i madhi Naim – “Vetëm drit’e diturisë përpara do t’na shpjerë!”
Jemi angazhuar dhe nuk do të reshtim së angazhuari për institucionalizimin e kulturës, si vlerë dhe karakteristikë e rëndësishme e identitetit kombëtar. Organizuam manifestimet për nder të 95 dhe 100 vjetorit të mbajtjes së Kongresi të Alfabetit në Manastir. Gjithashtu duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj ngjarje, Qeveria mori vendim për themelimin e Muzeut të Alfabetit të gjuhës shqipe me seli ne Manastir, pikërisht në shtëpinë ku u mbajt Kongresi në vitin 1908. Pjesë e angazhimeve tona është dhe vendosja e Skënderbeut në Shkup dhe ngritja e Muzeut të lirisë, që përfshin periudhën nga Lidhja e Prizrenit e deri tek lufta e lavdishme e Ushtrisë Clirimtare Kombëtare.
Të nderuar të pranishëm;
Në këto katër vite ne kemi qenë mjaft aktiv në krijim e politikës së jashtme të vendit, në këtë aspekt edhe në politikën e jashtme me fqinjët. Parimi ynë ka qenë dhe ngelet raporte të mira me të gjithë fqinjët pavarësisht dallimeve që mund të kemi me ndonjërin nga fqinjët për ndonjë çështje. Me Republikën e Shqipërisë raportet kanë qenë dhe do të mbeten të shkëlqyera. Kemi interese të ndërsjella në të gjitha sferat. Shqipëria, tani më si anëtare e NATO- s, luan rol aktiv për stabilitetin dhe integrimin e rajonit.
Republika e Kosovës, shteti më i ri në Evropë, po dëshmon se është faktor stabiliteti dhe i hodhi poshtë të gjitha pretendimet ndjellakeqe se pas pavarësimit do të prodhojë destabilitet. Me iniciativë të grupit parlamentar të BDI- së Parlamenti i Maqedonisë miratoi rezolutën për njohjen e pavarësisë së Kosovës, pas së cilës Qeveria njohu Kosovën shtet të pavarur, duke respektuar në këtë mënyrë vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës. Ky vendim nuk ishte i drejtuar kundër asnjë populli ose shteti tjetër. Me Kosovën, arritëm që bashkërisht të bëjmë demarkacionin e vijës kufitare dhe vendosëm marrëdhënie diplomatike. Shumë shpejt duhet të nënshkruhen marrëveshje për bashkëpunim në të gjitha sferat.
Si me Kosovën ashtu edhe me Shqipërinë duhet të përmirësohet infrastruktura rrugore, hekurudhore, energjetike etj. Veçanërisht prioritet duhet të jetë ndërtimi i korridorit VIII.
Gjithashtu bashkëpunim të mirë kemi pasur dhe do të kemi edhe me shtetin e Malit të Zi, sepse edhe atje jetojnë shqiptarë që janë urë lidhëse e bashkëpunimit në mes vendeve të të njëjtit rajon.
Bullgaria si anëtare e NATO-s dhe BE-së mundet dhe duhet të luaj rol aktiv në proceset integruese të Maqedonisë dhe vendeve tjera të Ballkanit. Marrëdhëniet e mira në mes dy vendeve tona nuk duhet të ndikohen nga rastet individuale që ndodhin në Bullgari ose Maqedoni.
Edhe përkundër dallimeve që i kemi rreth çështjes së Kosovës, Serbia mbetet shtet fqinj me të cilin duhet kultivuar marrëdhënie në të gjitha sferat. Për ne shqetësuese ngelet situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Do të apeloja që shteti t’i trajtojë në mënyrë të barabartë qytetarë e tij. Gjithashtu do t’i lus udhëheqësit e partive politike shqiptare atje që të jenë afër njëri tjetrit.
Raportet me Republikën e Greqisë bien nën hijen e kontekstit që kemi rreth çështjes së emrit. Marrëdhëniet me Greqinë kurrsesi nuk duhet te vihen ne pikëpyetje për shkak te interesave te shumta të përbashkëta.
Cështja e emrit është komplekse, por e zgjidhshme. Kjo mund dhe duhet të arrihet me anë të bisedimeve dhe dialogut të drejtpërdrejtë. Ne kemi dhënë kontributin tonë konstruktiv dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Zgjidhja duhet gjetur edhe për faktin që kjo është pengesa e fundit për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE sepse, alternativë tjetër, përveç se në NATO dhe BE, për Maqedoninë nuk ka. Vlerësojmë se në periudhën e fundit janë bërë hapa pozitiv, veçanërisht në kontaktet e drejtpërdrejta të dy Kryeministrave në Bruksel dhe Prespë, si dhe të ministrave dhe funksionarëve të tjerë. Jemi mirënjohës për gjithë inkurajimin dhe përkrahjen që kanë dhënë miqtë e Maqedonisë në këtë proces.
Kërkojmë angazhim edhe të mëtejshëm të komunitetit ndërkombëtar në këtë proces. Shpesh krijohet përshtypja se shqiptarët nuk janë të interesuar për zgjidhjen e problemit të emrit, mirëpo kjo nuk është e vërtetë. Si gjithë qytetarët tjerë edhe ne jemi shumë të interesuar. Prandaj, ne edhe marrin pjese në konsultimet e kreut të shtetit që mbahen për zgjidhjen e çështjes së emrit. Jetojmë në Ballkanin me histori të bujshme dhe popuj me çështje të ndjeshme. Mirëpo, në zgjidhjet e kontrasteve duhet të na shërbejnë përvojat pozitive të popujve evropian. Sot gjermanet dhe francezet ndërtojnë shtëpi ne vendet ku janë zhvilluar beteja të përgjakshme. Por ata nxorën mësim nga luftërat, arritën te dalin nga vetvetja dhe të bëhen iniciator ta marrëveshjes që më vonë u bë bazë e Evropës se bashkuar. Ne nuk kemi luftuar me njeri - tjetrin, rrjedhimisht duhet ta kemi me te lehtë mirëkuptimin dhe bashkëjetesën.
Pas raportit pozitiv të komisionit evropian dhe liberalizimit të vizave, që në fakt prej sot qytetarët e Maqedonisë do të mund të udhëtojnë pa viza në të gjitha vendet e zonës së Shengenit, ne shpresojmë se nën presidencën e Spanjës, vendit të mikut të Maqedonisë dhe Ballkanit, vendit të Havier SOLANËS, ky problem edhe do të tejkalohet dhe përfundimisht Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe të fillojmë bisedimet për anëtarësim në BE. Unë shfrytëzojë rastin që në emrin e të gjithë Juve prezent në këtë Kongres të urojë të gjithë qytetarët e vendit për këtë sukses të përbashkët dhe të ndajmë këtë gëzim me Ju. Përcaktimet tona të forta ngelen anëtarësimi në NATO dhe BE.
Raportet e BDI- së me partitë politike në Maqedoni gjithmonë do të jenë korrekte, do të bashkëpunojmë për interes kombëtar dhe shtetëror. Kurse, raportet me partitë politike në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës janë të shkëlqyera. Me të gjithë kryetarët dhe subjektet e tyre që drejtojnë kemi mbajtur kontakte dhe raportet janë të ndërtuara mbi bazën e nevojës së bashkëpunimit të sinqertë dhe nuk janë varur nga pozicioni i tyre, qofshin në pushtet ose në opozitë.
Të nderuar delegatë,
Në këto shtatë vite, BDI ka qenë në pushtet, por padrejtësisht ka qenë edhe në opozitë. Dëshiroj të theksoj se ne kemi qenë unik dhe të fuqishëm gjatë gjithë kësaj periudhe. Dhe, po e them pa modesti, kemi arritur rezultate të cilat janë të prekshme për qytetarët e vendit. Gjatë kësaj periudhe ne kemi punuar për të vënë në jetë idealet e të gjithë brezave të kombit. Kemi punuar për të bërë realitet ëndrrat që nga rilindasit e deri tek bashkëveprimtarët tanë. Kemi instaluar dhe do të vazhdojmë ta kultivojmë edhe në të ardhmen që popullit t`i flasim me gjuhën të cilën ai na e kupton, që populli t`i besojë fjalës së politikanit. Sepse, ne nuk vijmë nga kancelaritë dhe kolltuqet e buta. Prandaj, deputetë, ministra, drejtorë, kryetarë komunash, sa më shpesh të jemi në mesin e qytetarëve. Para tyre gjithmonë duhet dhënë llogari!
Sepse, të mos harrojmë, pushteti dikë e kthjellon, dikë e ndërgjegjëson. Në gjirin tonë nuk ka vend për politikë pa vlera, pa ideale dhe pa moral. Të gjithë ata që presin që një ditë BDI-ja të korruptohet, gabohen rëndë. Të gjithë ata që presin që BDI-ja të dobësohet, e kanë të kotë.
Të gjithë ata që janë në pritje që BDI-ja të lodhet, i bëjnë hesapet pa hanxhinj. Gjatë këtyre 7 viteve na bezdisën me shpifje e të pavërteta. Përgatitën fushata të tëra kundër nesh. Të gjithë ata i mposhtëm. Deri tani të pamundurën e bëmë të mundur. BDI-ja tregoi si i shërbehet popullit, si ruhen interesat kombëtare. Sprovat ishin të shumta, ama ne nuk hoqëm dorë që idealet tona t’i vëmë në jetë, që në këtë vend edhe shqiptari të jetë i barabartë.
Për të ndërtuar shtet të përbashkët, shtet ku të gjithë do të ndjehen të barabartë, shumë të rëndësishme janë raportet në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, duke mos dashur të anashkaloj edhe bashkësitë etnike tjera që jetojnë në Maqedoni. Respektimi i diversiteteve është baza e shtetit të të gjithëve. Mbi këtë bazë është ndërtuar edhe BE, familje në të cilën ne dëshirojmë të integrohemi.
Nga marrëdhëniet e mira ndëretnike varen edhe proceset pozitive në vend. Shikuar nga ky aspekt, marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe maqedonasve duhet të jenë të sinqerta. Historikisht është dëshmuar se asnjëherë nuk është kontestuar shteti i Maqedonisë, gjuha dhe kombi maqedonas, as nga ne shqiptarët vendor, por as nga Shqipëria dhe Kosova. Bashkëqytetarë tanë duhet të dinë se shqiptarët i kanë dhe do t’i kenë aleat pa asnjë interes, pa prapavijë dhe me qëllime të mira. Prandaj, duhet të kuptojmë se duhet të jetojmë në fqinjësi dhe në bashkëjetesë me njëri - tjetrin.
Kriza globale financiare që përfshiu gjitha vendet nuk anashkaloi as vendin tonë. Kjo krizë ndikoi edhe realizimin e programit dhe në jetën e qytetarëve në përgjithësi. Shenjat e para të tejkalimit të krizës po jepen, mirëpo pasojat do ndjehen edhe në periudhën që pason. Kriza ka ndikuar edhe në investimet e jashtme në vendin tonë. Krijimi i klimës pozitive për biznes, kushteve të volitshme për investitorët, garantimi i investimeve dhe stabiliteti i përgjithshëm do të jenë prioritet i yni.
Bota për momentin përveç krizës financiare gjithashtu përballet edhe me dy sfida të mëdha, terrorizmin ndërkombëtar dhe ndryshimet klimaterike. Dëshiroj të bëj të qartë se BDI do të jetë aleat në evitimin e këtyre rreziqeve. Ne do të jemi në përkrahje të të gjitha vendeve që përballen me këto sfida. Kjo edhe për një arsye shumë të madhe - ne prioritet mbi prioritete kemi ruajtjen e paqes.
Sa u takon çështjeve strategjike zhvillimore të vendit si ekonomia, infrastruktura, kultura, arsimi, shëndetësisë, ekologjisë, politika sociale dhe shumë sfera tjera janë angazhim i vazhdueshëm që të kemi shpërndarje të barabartë dhe të drejtë të mjeteve dhe të mirave materiale. Dhe për të gjitha këto ne ofrojmë zgjidhje dhe orientim në programin e BDI-së.
Raportet brenda koalicionit janë marrëdhënie te hapura dhe të definuara qartë qe nga momenti i arritjes se marrëveshjes për bashkëqeverisje. Ky koalicion është ndërtuar mbi katër shtylla themelore: vazhdimi i implementimit të MO, integrimi i Maqedonisë ne NATO dhe BE dhe strategjia për zhvillim ekonomik te vendit.
Eshtë me se e vërtetë që ne nuk i bëjmë lëvdata njeri – tjetrit, por ama për këto tema seriozisht kemi qasje dhe rol vendimmarrës. Edhe një herë po i theksoj në mënyrë të përmbledhur po i theksoj të arriturat prej se ky koalicion është ne pushtet:
1. hapja e dy fakulteteve ne KUMANOVE
2. ligji për përdorimin e gjuhës shqipe
3. njohja e pavarësisë se KOSOVES
4. demarkacioni dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosoven
5. hapja e Muzeut të lirisë në Shkup
6. hapja e muzeut kombëtar ne Manastir
7. manifestimi për 100 vjetorin e Kongresit te alfabetit
8. hapja e fakulteteve për mësim ne gjuhen shqipe ne Shkup, Gostivar, Kërçove
9. pranimi në administratën shtetërore i 1150 te rinjve e te rejave shqiptare.
Këto të arritura bazën e kane tek Marrëveshja e Ohrit si dhe angazhimit te përbashkët te partnereve te koalicionit. Kuptohet, ka vend edhe për pakënaqësi por qe ne thelb nuk e ve ne dyshim funksionimin dhe përgjegjësitë qe ka marre ky koalicion per te drejtuar vendin brenda këtij mandati.
Të nderuar delegatë dhe mysafirë, të nderuar anëtarë të BDI-së;
Sot shtrohet pyetja e logjikshme, a ka nevojë dhe a është BDI-ja e gatshme për reforma?
Sigurisht që po. Reformat i bëjnë njerëzit e guximshëm dhe të gatshëm të japin diçka nga vetvetja. Më lejoni që në pika të shkurtëra të prezantoj edhe vizionin tim për organizimin e ardhshëm të BDI- së:
• Fillimisht do të bëjmë rievidentimin e anëtarësisë, ku secili qytetar që dëshiron të bëhet anëtar në BDI do të pajiset me kartelë anëtarësimi.
• Menjëherë pas konstituimit të Këshillit të Përgjithshëm që do të dalë nga ky Kongres do të fillojnë zgjedhjet në të gjitha nivelet. Zgjedhjet do të udhëhiqen nga grupe të veçanta. Të drejtë të zgjidhet dhe të marrë pjesë në këto zgjedhje do të ketë çdo anëtar i pajisur me librezë anëtarësimi.
• Të gjitha degët e BDI-së të diskutojnë për tema të rëndësishme për shoqërinë, të marrin iniciativa dhe të jenë organe aktive. Të vendoset kuptimi i drejtë për partinë dhe ajo të mos kuptohet si ent për punësim.
• Të ndërtojmë në vetëdije dhe në organizim që në kongresin e ardhshëm, Kryetari i partisë të zgjidhet nga anëtarësia sipas parimit “një anëtar një votë”.
• Do të formohen grupe të përhershme pune për nevojat e kryetarit të BDI-së, si:
1. Komiteti Kombëtar për analizë strategjike dhe orientim të politikave. Në përbërje tij do të jenë personalitete me kredibilitet profesional dhe të dëshmuar;
2. Këshilli gjithëpërfshirës për shoqërinë civile, zhvillimin e strukturave profesionale dhe mediumeve. Në përbërje të këtij këshilli do të ketë tre seksione: seksioni i shoqërisë civile, i strukturave profesionale dhe seksioni i medias.
3. Këshilli i antikorrupsionit dhe transparencës (KAT), i cili do të ketë për qëllim që të risë nivelin e transparencës si metodë punë në organet partiake, vlerësim për punën e të gjithë funksionarëve në të gjitha nivelet si dhe do të luftojë korrupsionin dhe veprimet tjera të jashtëligjshme në funksion të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale në përgjithësi.
Tani këtu, në këtë ambient të stërmbushur, para kësaj përbërje të mrekullueshëm, të gjithë juve, të dashur të mi, po ju drejtohem edhe njëherë:
Vëllezër dhe motra, rruga jonë është e gjatë. Rruga jonë është përplot me pengesa. Rruga jonë është e rëndë. Ata që e kanë humbur vullnetin për punë, le të tërhiqen. Ata që e ndjejnë veten të lodhur, le të pushojnë pak. Këtë nuk e them për të frikësuar ose larguar ndonjërin nga Ne nga partia, por motoja e këtij Kongresi është “JETËSOJMË IDEALET”, që kërkon energji, përkushtim, vendosmëri, ndershmëri dhe vlera tjera. Mbi të gjitha kërkon unitet dhe përkrahje.
Urime ditën tuaj!
Urime Kongresin!
E ardhmja jonë të jetë e ndritur!
Faleminderit!